Abuzimet e privatit me dializën. Asnjë mbikëqyrje e shërbimit, faturat mbi limitet e kontratës

Denisa Canameti / Shëndet+

dializa ne shtet

Procesi i dializës për të sëmurët me probleme në veshka mbulohet prej vitesh 100 % nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në kohën kur ky shërbim mbulohej vetëm nga shteti, pacientët ankoheshin vazhdimisht për radhë në dyert e spitaleve apo marrje të shërbimit me turne.

Për të zgjidhur këto anomali, Ministria e Shëndetësisë hodhi idenë e partneritetit publik/privat.

Strukturat shëndetësore, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Ministria e Shëndetësisë kanë rënë dakord që të nënshkruajnë një kontratë  me subjektet  private, për sigurimin e disa shtretërve të dializës. Lista e të sëmurëve që bëjnë dializën në spitalin privat vendoset nga një komision i posaçëm në QSUT. Kjo strukturë bën vlerësimin dhe më pas, në bazë të moshës, gjendjes së të sëmurëve, vendosin prioritetet për ata që do të trajtohen në dializën e shtetit dhe në privat. Kështu, sipas kontratës, pacientët e privatit marrin të njëjtin shërbim në privat, por pa paguar kosto shtesë.

Por, a respektohen kushtet e kontratës midis strukturave shëndetësore dhe spitaleve private për shërbimin e dializës?

Kontrolli i lartë i shtetit ka konstatuar që jo. Privati abuzon me koston e shërbimit, ndërkohë shteti paguan. Kështu, nga gjetjet e bëra publike thuhet se:

“Nga drejtoria e QSUT, në kundërshtim me kushtet e kontratës “Detyrimet dhe të drejtat”, ky shërbim nuk është monitoruar si nga ana sasiore dhe cilësore. Nuk ka asnjë raport për shërbimin e paguar, por janë marrë të mirëqena dhe paguheshin të gjitha faturat që vinin nga operatorët privat, pavarësisht se mund të kalonin limitet financiare të çdo kontrate”.

Ndërkohë, në kontratën e 2014-s, vazhdon raporti, është  konstatuar se kushti i vendosur me vendimin nr. 1 të Bordit, për trajtimin e pacientëve me 3 seanca në javë, është hequr.

Si pasojë u konstatuan raste të raportimit të realizimit me 14, 15 dhe 16 seanca në muaj për pacient. Nga tejkalimi i seancave për periudhën janar-dhjetor 2014, është paguar një vlerë  11.242.980 lekë për të dy operatorët, ndërkohë që 9.667.194 lekë i kanë kaluar “….”.

Skandali vazhdon dhe në raport thuhet se subjektet private janë paguar dhe për shërbime që nuk i kanë ofruar.

“Gjithashtu u konstatua se është faturuar dhe është bërë pagesa mujore për pacientë të trajtuar tek “….”,të cilët figurojnë se janë larguar nga trajtimi në QSUT në fund të muajit. Në këto kushte, operatori ekonomik është favorizuar për shkak të mungesës së monitorimit në vlerën 2.626.269 lekë.

“Nga ana e grupit të auditimit vazhdimisht u morën kontakte me mjekët e Nefrologjisë dhe u kërkuan dokumente shkresorë të cilët të vërtetonin besueshmërinë e listave të pacientëve që marrin trajtimin për dializë, informacion që nuk na u paraqit, ndërkohë që edhe observimet rreth konstatimeve tona kanë ardhur nga subjektit privat dhe jo nga Shërbimi i Nefrologjisë pranë QSUT, kur dihet se “ Përveç kartelave të pacientëve, shërbimi i nefrologjisë mban dhe një regjistër themeltar me rubrika, nr. rendor, datën e fillimit të dializës, emër, mbiemër, gjinia, diagnoza, data e largimit……. Ky regjistër plotësohet nga Kryeinfermierja e Pavijonit dhe nga rëndësia renditet mbas kartelës së pacientit”.

Transporti i pacientëve në dializë, nuk është rimbursuar në mënyrë korrekte

Nga ana tjetër, u konstatua se, në zbatim të kontratave me spitalet private për shërbimin e dializës, është paguar shërbimi i transportit për dializantët në vlerën 6.908.656 lekë(viti 2014).

Nga auditimi u konstatua se asnjëherë pacienti nuk paguhej në bazë të numrit të seancave që kryente, ndërkohë që kishim raste që, personi që listohej te shpenzimet e transportit, nuk rezultonte të ishte në listat e pacientëve që faturoheshin për seancat që kryenin pranë spitaleve të operatorëve privatë. Kjo procedurë për vitin 2015 është e monitoruar dhe e plotësuar me dokumentacionin vërtetues të veprimit ekonomik (trajtuar më hollësisht në faqen nr. 99 -104 të Raportit Përfundimtar të Auditimit).

Referuar këtyre shkeljeve, grupi i auditimit ka dhënë një sërë rekomandimesh të cilat duhet të vlerësohen menjëherë.

-Për sa më sipër rekomandojmë:

QSUT të marrë masat e menjëhershme organizative për ngritjen e një regjistri themeltar, kombëtar (qoftë edhe në excel) në të cilin në çdo moment të evidentohen pacientët në mënyrë progresive, duke plotësuar për çdo pacient koha në të cilën është futur në shërbimin e dializës, ecuria klinike e tij. Të hartojë një procedurë të shkruar dhe të mirëpërcaktuar për mënyrën se si pacienti orientohet tek operatori privat për të marrë shërbimin e hemodializës, si dhe të përkufizojë mjetet për transparencën e këtij procesi.

Brenda 6-mujorit të parë të vitit 2016

Drejtoria Ekonomike dhe Planifikimit Financiar në QSUT të bëjë verifikimin e numrit të personave që përfitojnë shërbimin e dializës pranë operatorëve privatë, të verifikojë numrin e seancave përmes kartelës klinike të pacientëve, si dhe të saktësohet data e hyrjes së pacientit në trajtim pranë këtyre operatorëve ekonomik, duke llogaritur në këtë rast të gjithë vlerën e përfituar padrejtësisht nga operatorët ekonomik, kjo në mungesë të regjistrit të pacientëve që marrin shërbimin e dializës në vend. Të nxirret urdhër zhdëmtimi ndaj operatorëve ekonomik privat për shumat e pajustifikuara me dokumentacion vërtetues për shpenzimin e transportit të përfituara nga pacientët sipas numrit të seancave të përfituara./ https://shendeti.com.al/

 

Postime të ngjashme

Vdekja e 3-vjeçarit pas ndërhyrjes në klinikën dentare, arrestohet mjeku Roland Xhaxho
Raporti i KLSH për Onkologjikun, si falsifikohej data e skadencës së ilaçit për të sëmurët me tumor
Aftësia për t’u mërzitur: Ilaçi i fshehur kundër ankthit modern
Vjeshta me viroza! 5 këshilla të arta për ta kaluar me shëndet të plotë
Nutricionistja: Kujdes nga dietat detox! Ulin masën muskulore, nuk largojnë dhjamin
Kjo është koha më e mirë për të pirë kafe, sipas ekspertëve
Dietat drastike – Nutricionistja Silvia Guxho: Ja çfarë ndodh në trupin tonë!
5 ushqime që përmirësojnë shëndetin tuaj mendor