Arlinda Gjypi, shendeti.com.al
Qindra fëmijë rrezikojnë shurdhimin. Me gjithë ngritjen e zërit, duket se Ministria e Shëndetësisë e ka marrë “me terezi” këtë çështje, që duket shumë e largët për përparësitë e saj.
Teksa Ministria e Shëndetësisë premtoi në vitin 2014 zgjidhjen e çështjes së implantit koklear, sot në 2016-n fëmijët që lindin me probleme me dëgjimin, i kanë ende shpresat tek borxhet që mund të marrin prindërit e tyre në banka e ndër miq, që të mund të kurohen jashtë shtetit.
I ngritur si problem në muajin prill nga gazeta “Shëndet+” dhe shoqata “Together for Life”, institucioni përgjegjës, Ministria e Shëndetësisë, vetëm një javë pas publikimit të fakteve pranoi ngërçin në të cilin gjendet. Në përgjigjen zyrtare të dërguar nga drejtori i Administrimit Spitalor, Petro Mersini, thuhet se “me gjithë përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për sigurimin e aparateve kokleare, nuk është bërë i mundur sigurimi i tyre. Për këtë arsye implanti koklear akoma nuk është realizuar”.
Sipas po kësaj përgjigjeje, për të siguruar aparatet “ministri i Shëndetësisë ka ngritur një grup pune, i cili është duke punuar për të bërë studimin përkatës me qëllim përfshirjen e aparateve kokleare në listën e rimbursimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”. Sipas ministrisë, kjo pretendohet të jetë edhe mënyra e zgjidhjes përfundimtare për realizimin e implantit koklear.
Përgjigjja zyrtare e ministrisë, e cila mban datën 22 prill 2016 (dhe ka mbërritur në zyrat e shoqatës “Together for Life” më 26 prill 2016), tregon se ka mbi 4 muaj që është ngritur grupi i punës për studimin përkatës. Me gjithë kalimin e kësaj periudhe kohore, nga ana e Ministrisë nuk ka asnjë deklaratë në të cilën të pohohet se grupi i punës që “po bën studimin”, ka dalë në një zgjidhje përfundimtare.
Fëmijët që lindin me probleme me dëgjimin kanë nevojë për një aparaturë që vendoset në veshin e tyre. Procedura për vendosjen e kësaj aparature duhet bërë para moshës 7 vjeç. Pas kësaj moshe për ta nuk ka zgjidhje.
Sipas vendimeve të marra në vitin 2014 nga qeveria shqiptare, pajisjet për dëgjimin sigurohen sipas standardeve të BE-së nga Ministria e Shëndetësisë. Pas sigurimit të këtyre pajisjeve nga ministria, Fondi (FSDKSH) bën rimbursimin e procedurës kirurgjikale. Por që në vitin 2014 QSUT-ja ka bërë gati sallën ku do të realizohet ndërhyrja me gjithë aparaturat përkatëse, prindërit e fëmijëve qëndrojnë në radhë pritjeje, Fondi është i gatshëm për të bërë rimbursimin, ndërsa pret që ministria të sigurojë aparaturat.
Ndërkohë që grupi i punës në Ministrinë e Shëndetësisë vazhdon studimin (sa zgjat ky studim!!!), shumë prej fëmijëve me probleme me dëgjimin po arrijnë moshën në të cilin nuk do të kenë më asnjë zgjidhje dhe mund të mbeten shurdhë për gjithë jetën e tyre. / https://shendeti.com.al/