Denisa Canameti, gazeta “Shëndet+” (Click here for English version)
 implantin koklear. Prindërit presin me vite, ndërsa fëmijët e tyre rriten dhe pas moshës 7 vjeç nuk kanë më asnjë shpresë.
implantin koklear. Prindërit presin me vite, ndërsa fëmijët e tyre rriten dhe pas moshës 7 vjeç nuk kanë më asnjë shpresë.Bëhet fjalë për 60-70 fëmijë që lindin çdo vit në Shqipëri me probleme të dëgjimit. Implanti koklear është një pajisje e kompjuterizuar, e cila mund të rivendosë dëgjimin e dobishëm për personat me humbje të rënda ose të thella të dëgjimit (shurdhim nervor).
Pavarësisht se kjo ndërhyrje është në listën e shërbimeve të rimbursueshme 100% nga shteti, nuk ka filluar të aplikohet ende. Shefi i shërbimit të ORL-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Besim Boçi, thotë se gjithçka është bërë gati, janë përcaktuar edhe kostot, por ende nuk është vënë në zbatim.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ia kalon përgjegjësinë Fondit, teksa ky i fundit shprehet se Fondi financon procedurën kirurgjikale të vendosjes së implantit koklear, ndërsa përgjegjësia për sigurimin e aparaturave sipas standardeve të Bashkimit Europian është direkt e Ministrisë së Shëndetësisë.
 Dëshmia: Prita 4 vjet për operacionin. Pastaj mora kredi 20 000 euro dhe e bëra në privat
Dëshmia: Prita 4 vjet për operacionin. Pastaj mora kredi 20 000 euro dhe e bëra në privat
Borjana P. është prindi i një vogëlusheje që shumë shpejt mbush 5 vjeç. Ajo, si shumë fëmijë të tjerë, ka lindur pa dëgjim. Në kushte të tilla prindërit i janë drejtuar klinikës së ORL-së në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për kurim. Në një komunikim me të, Borjana tregon sorollatjet prej katër vitesh në dyert e QSUT-së. Koha është faktor i rëndësishëm në raste të tilla. Vendosja e aparaturës duhet të bëhet para moshës 7 vjeç. Borjana rrëfen:
“Unë jam nëna e një fëmije që ka lindur pa dëgjim. Vajzën e operova në Greqi pas një pritjeje prej 4 vjetësh duke rendur pas çdokujt që më dukej sikur donte të më jepte një dorë. Madje edhe me pushtetarë që kishim dhe njohje nuk arritëm asgjë. Përfundimisht iu drejtuam bankës me një kredi prej 20 mijë eurosh. Por fituam gjënë më të shtrenjtë: dëgjimin e vajzës sonë.
“Të ngremë zërin? Ja, po e ngre. Por në familjen time tashmë ekzistojnë 20 mijë euro borxh”, thotë e trishtuar Borjana.
 Besim Boçi: Implanti koklear, plan i mbetur në letra
Besim Boçi: Implanti koklear, plan i mbetur në letra
Nga ana tjetër, shefi i shërbimit të ORL-së në QSUT, Besim Boçi thotë se është e vërtetë që implanti koklear është në pjesën e rimbursueshme, por që deri tani nuk është vënë në zbatim, thjesht ka ngelur aty. Ai thotë se nuk e di ku ka ngecur moszbatimi i këtij plani.
“Se ku është pengesa, nuk e marr vesh. Jemi mbledhur në FSDKSH, kemi bërë koston dhe se ku ka ngecur, nuk e kuptoj. Po nuk u bë implanti, ç’vlerë ka përzgjedhja e pacientëve?
“Na vënë përballë një presioni që s’ka lidhje. Vijnë këtu familjarët dhe bërtasin: pse s’më fute mua në listë, por fute atë? Ndërkohë që procedura nuk ka filluar fare. Ja, e kam unë listën e pritjeve. Edhe…? Ndërhyrja nuk bëhet”.
QSUT: Ne disponojmë gjithë infrastrukturën e nevojshme
Nga ana e saj, drejtoria e QSUT-së thotë se Shërbimi ORL në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” disponon “të gjithë infrastrukturën e nevojshme” për kryerjen e implantit koklear, ndërsa deklaron se lidhur për më tepër duhet “të informoheni pranë zyrave të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.
Ministria e Shëndetësisë: Pyesni FSDKSH-në!
Si institucion kryesor në këtë çështje iu drejtuam edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me përgjegjësinë e këtij institucioni për moskryerjen e implantit koklear, si dhe për blerjen e aparaturave, të nevojshme për kryerjen e tij.
Përgjigjja zyrtare e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë ishte:
“Autoriteti kontraktor dhe përgjegjës për monitorimin e zbatimit të paketave të shërbimeve (ndër to edhe implanti koklear) është FSDKSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor), ndaj kërkesën për informacion duhet ta drejtoni tek ky institucion”.
Kështu, nga ana e ministrisë përgjegjësia i është kaluar Fondit, në një kohë që nuk është mbajtur asnjë përgjegjësi për mosblerjen e aparaturave, pa të cilat implanti koklear nuk mund të realizohet.
FSDKSH: Aparatura sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë!
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor deklaron se ai si institucion financon procedurën kirurgjikale, por ndërkohë aparatura duhet të sigurohet nga Ministria e Shëndetësisë.
Në fakt, përgjigjja e plotë e Fondit është pikërisht kjo: “Në zbatim të VKM Nr.308, datë 21.05.2014 “Për miratimin e paketave të shërbimeve shëndetësore që do të financohen nga FSDKSH në Shërbimin Spitalor”, Fondi financon paketat shëndetësore në institucionet shëndetësore publike në përputhje me kapacitetet e tyre për ofrimin e shërbimeve të paketave. Bazuar në këtë vendim për paketën e shërbimit të implantit koklear, Fondi financon procedurën kirurgjikale të vendosjes së implantit koklear. Aparatura e implantit koklear sipas standardeve të Bashkimit Europian sigurohet në çdo rast nga Ministria e Shëndetësisë”.
Fëmijët me probleme të dëgjimit, implanti koklear zgjidhja e vetme
Edlira Beqiri, mjeke pediatre-otorinolaringologe pranë shërbimit të kirurgjisë infantile, shpjegon se shurdhësia e lindur përbën patologjinë kongenitale me incidencë më të lartë krahasuar me gjithë sëmundjet e lindura në popullatë.
“Është i rëndësishëm testimi që në lindje për të diagnostikuar herët dëmtimin në dëgjim, pasi kjo është e vetmja mënyrë për të parandaluar efektet tepër të rënda që mbart kjo patologji në jetën e fëmijës, në lidhje me pamundësinë për një zhvillim gjuhësor normal të tij.
“Përparimet teknologjike bashkëkohore e kanë bërë të realizueshëm Screening-un Universal Neonatal Dëgjimor duke mundësuar kështu zbulimin e dëmtimit permanent të dëgjimit në fëmijëri. Për herë të parë në historinë e vendit tonë u vu në zbatim një project i screening-ut universal neonatal dëgjimor në fillim të vitit 2009.
“Projekti u mbështet nga një ekip mjekësh audiologë, audioprotezistësh e logopedistësh italiane të Universitetit të Modenës, Padovës dhe Rexho Emilias. Ai u vendos të mbulojë të gjitha lindjet në tre qytetet më të mëdha të Shqipërisë: Tiranë, Shkodër dhe Fier me një lindshmëri 17000 fëmijë/vit. “Lindshmëria totale në vendin tonë është 30000-35000 lindje/vit. Në përfundim të tij, incidenca e shurdhësisë së lindur kapi shifrën 2.1 fëmijë shurdh në 1000 lindje. Kjo do të thotë se në vit lindin 60-70 fëmijë me probleme të dëgjimit. Implanti koklear është ndërhyrja e vetme që rikthen dëgjimin e dëmtuar të këtyre fëmijëve të porsalindur”.
(Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Vepro tani! Denonco korrupsionin në sistemin shëndetësor, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life”, dhe mbështetet nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë të autor-it/ve dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit)

 
				
 
						 
						 
						 
						 
						 
						 
						