Gjimnazistët, 3 partnerë deri në moshën 18-vjeçare

Më shumë, më mirë! Kjo duket se është motoja e meshkujve gjimnazistë për sa i përket marrëdhënieve me femrat. Sipas raportit të një studimi të kryer nga Organizata Botërore e Shëndetësisë,  30 për qind e të rinjve në vendin tonë kanë kryer marrëdhënie seksuale para moshës 16-vjeçare. Në këtë studim u përfshinë 1437 studentë të moshës 21.2 vjeç deri 23 vjeç, ndërsa u pyetën për përvojat e tyre jetësore deri në moshën 18-vjeçare. Meshkujt janë ata që e nisin më herët jetën e tyre seksuale, me 44.8 për qind të të intervistuarve, ndërkohë që vajzat që kanë kryer marrëdhënie para ose deri në 16 vjeç janë 31 për qind. Gjithashtu, rezulton se prevalenca e marrëdhënieve seksuale ka qenë dukshëm më e lartë tek meshkujt në krahasim me femrat, konkretisht 74.2 për qind  për djemtë dhe 43.5 për qind për vajzat. Studimi i OBSH-së nxjerr shifra edhe në lidhje me numrin e partnerëve që kanë pasur të rinjtë deri në moshën 18 vjeç.

Nga të dhënat rezulton se mesatarisht një i ri në vendin tonë, derisa mbush moshën e pjekurisë kryen marrëdhënie me rreth 3 partnerë të ndryshëm seksualë, 2.95 te meshkujt dhe 2.92 te femrat. Studimi jep edhe detaje në lidhje me vendlindjen e adoleshentëve që kanë kryer marrëdhënie seksuale deri në moshën 18-vjeçare, si dhe me rezidencën e tyre. Kështu, 14.6 për qind e tyre kanë lindur në fshat, ndërkohë që 85.4 për qind e tyre në qytet.

Ornela Bilba (1)

Ornela Bilba, psikologe

Shqipëria është shoqëri patriarkale ku janë meshkujt ata që përzgjedhin dhe vendosin çfarë duhet të kenë. Adoleshentët janë në fazën e eksplorimit, eksperimentimit, dhe në bisedat që bëjmë lidhur me seksualitetin ende e kanë tabu të flasin. Gjatë seminareve që kryejmë në shkollë kemi diskutuar lidhur me faktin e të pasurit më shumë se një lidhje në të njëjtën kohë dhe ka gjithmonë konfrontime midis vajzave dhe djemve për atë që ata mendojnë për këtë çështje.

Përgjithësisht, meshkujt kanë më shumë dëshirë të eksperimentojnë pasi gjatë lidhjes ata arrijnë ta njohin më shumë veten e tyre. Nëpërmjet lidhjes ata arrijnë të kuptojnë se si janë në raport me tjetrin, se çfarë kërkojnë më shuëm si nga ana psikologjike por edhe ajo seksuale. Në Shqipëri, por edhe në shumë vende të botës mendoj ekziston ajo egoja e meshkujve për të pasur më shumë se një të dashur, për të qenë “i pari”.

Te femrat është krejt ndryshe. Ato e idealizojnë partnerin dhe dëshirojnë që marrëdhënien e parë ta kryejnë me një djalë që vërtet t’u pëlqejë. Meshkujt mendojnë që sa më shumë të dashura të kenë, aq më të pëlqyeshëm do të jenë nga pjesa tjetër.

Cila është arsyeja, sipas jush, që meshkujt kanë dëshirë të kenë më shumë se një të dashur?

Mendoj se është një çështje kulturale. I takon kulturës shqiptare dhe ambienti ku ne jetojmë. Momentin kur ne nuk jemi shumë të lirshëm që të bëjmë atë që duam, fillojmë dhe futemi në disa procese, pra krijojmë marrëdhënie me dy ose më shumë persona. Kjo për sa i përket aspektit social. Për sa i përket aspektit psikologjik mund të ketë ndikim edhe vetëvlerësimi që kanë meshkujt për veten. A ndjehet ai rehat me veten dhe partnerin që ka, pasi ka shumë meshkuj që e kërkojnë dashurinë e vërtetë që në moshë të hershme. Ka djem që janë vetëm 17 apo 18 vjeç dhe tashmë kanë disa vite me të njëjtën partnere. Kjo është edhe paksa individuale. Ndikon mënyra se si janë rritur dhe se si e konceptojnë të pasurit e një marrëdhënieje.

Gjatë seancave që bëni për të folur mbi seksualitetin, sa të vështirë e kanë që të diskutojnë meshkujt dhe sa femrat?

Në përgjithësi meshkujt janë ata që e marrin pak më shumë guximin për të folur. Më pas fillojnë edhe diskutimet midis tyre dhe përballja e mendimeve. Nga ndrojtja shpesh e nisin frazën “një shoku im…” apo “një shoqja ime …”, ndërkohë që po flasin për veten e tyre. Ende e kanë të vështirë që të flasin lirshëm për tema që kanë të bëjnë me marrëdhëniet apo seksin. Krahasuar me vite më parë flasin më lirshëm, por jo se e kanë të lehtë për të folur. Për shembull, një prej nxënësve më tha  para dy javësh që isht në siklet me temën që unë po zhvilloja. Kur e pyeta pse, më tha që nuk kishte diskutuar më parë për të tilla gjëra, as në familje apo në shoqëri.

Mendoj që përpara se të nisin një marrëdhënie, meshkujt duhet ta njohin botën femërore dhe femrat botën mashkullore. Shpesh dëgjoj pyetjen “kur mendoni se është mosha ideale për të pasur një lidhje?”. Unë me të qeshur e konsideroj pyetje një milion dollarëshe. Nuk mendoj se ka një moshë të përcaktuar për të krijuar një lidhje.

Si ndikon te meshkujt dhe te femrat fakti që shokët/shoqet kanë të dashur ndërsa ai/ajo nuk ka?

Ndihen keq dhe ndihen si të përjashtuar kur shohin që shokët apo shoqet kanë të dashur.

Sa ndikojnë familjet në përçimin e njohurive rreth marrëdhënieve te të rinjtë?

Mendoj se janë shumë të pakta ato familje që bisedojnë me fëmijët e tyre për tema të kësaj natyre. Këshilla më e zakonshme që prindërit u thonë fëmijëve është “rruhu se mos lesh ndonjë gocë shtatzënë”. Kjo nuk një informacion i vlefshëm për ta, por më tepër një këshillë paksa  vrazhdë. Nuk besoj se janë të shumta ato familje që të ulen e të bisedojnë m fëmijët e tyre për rreziqet apo mënyrat që duhet të ndjekësh kur kryen marrëdhënie për herë të parë. Adoleshentët sot janë shumë të ditur pasi marrin çdo lloj informacioni nga interneti por mund të kërkojnë disa përgjigje që interneti nuk u a jep dot. Në këtë pikë shoh shumë të rëndësishëm rolin e prindërve.

Sipas një raporti, gati 90 për qind e meshkujve në qytet kishin kryer marrëdhënie deri në moshën 18-vjeçare ndërsa në fshat vetëm 10 për qind. Përse kjo diferencë kaq e madhe?

Mendoj se është një çështje mentaliteti. Është shumë i rëndësishëm ambienti ku në rritemi. Ndikon mungesa e qendrave sociale, mungesa e gjinekologëve, femrat nuk janë shumë të lirshme që të shkojnë te një gjinekolog dhe të flasin për kulturën gjinekologjike. Përderisa ekziston një lloj kufizimi i tllë, edhe fëmijët do të rriten me të njëjtën kulturë. Pastaj varet edhe nga kultura në fshat, pasi kur vajzat shkojnë në një moshë të caktuar ato “duhen martuar” dhe duke e ndjerë këtë lloj presioni ato stepen për të krijuar një lidhje.

Thuajse 90 për qind e të rinjve kryejnë marrëdhënie me dy deri në tre femra deri në moshën 18-vjeçare. Përse kjo tendencë për të pasur sa më shumë lidhje?

Është një fenomen që varet nga kultura e njerëzve dhe ambienti ku janë rritur. Në vendet e tjera nuk ekziston mendësia e të kryerit marrëdhënie medoemos para moshës 18-vjeçare. Në bisedat që kryejmë gjatë seminareve shpesh dëgjoj nga meshkujt që  “ok, unë jam në moshën ku do të eksploroj dhe mund të lidhem disa herë, por kur të mendoj për femrën me të cilën do kaloj jetën, e dua të virgjër”. Pra, duan që të kenë lidhje të shumta, ndërsa partnerja të jetë e virgjër. Një mendësi paksa kontradiktore që u është injektuar edhe nga familjet e tyre. Por mendoj se kjo është një temë më vete.

Marrëdhëniet e hershme, si ndikojnë në jetën seksuale dhe atë emocionale në marrëdhëniet e tjera që ata do të krijojnë?

Kur hyjnë në një marrëdhënie dhe kjo ndodh nga ndikimi i grupit social, patjetër që ka pasojat e veta. Shpesh të rinjtë lidhen nga trysnia që i bëhet nga shoqëria dhe jo nga dëshira për të pasur një lidhje. Pasja e një marrëdhënie të hershme të cilën e krijojnë për shkak të presionit dhe jo dëshirës do të ndikojë edhe të marrëdhëniet  e mëvonshme. Sepse ti i shikon ato si diçka që “duhet” dhe jo sepse ti “do”.

Gerald Hysollari gjimnazist

Gerald Hysollari 16 vjeç, gjimnazist

“Unë nuk e shoh si të domosdoshme të kesh një marrëdhënie. Mendoj se fillimi i një marrëdhënieje duhet të ndodhë kur t’i e ndjen që ke gjetur një person që të përshtatet dhe ndjehesh mirë me të. Shpesh në klasën tonë apo edhe në të tjera i tregojnë me gisht çunat që nuk kanë të dashur, dhe doemos që ata do të ndjehen keq. Por nuk besoj se të kesh një të dashur do të tohtë se ke bërë diçka të jashtëzakonshme”.

 

 

Arjol Peposhi 16 vjeç, gjimnazistArjol Peposhi gjimnazist

“Të kesh një marrëdhënie besoj se ka më shumë anë të mira se sa të këqija. Në një marrëdhënie mund të mësosh gjëra të reja dhe krijon përshtypjet e tua se si dëshiron që të jetë personi që do të kalosh jetën. Nuk besoj se në gjimnaze lindin dashuritë e vërteta. Mendoj se është një fazë eksperimentimi nga të dyja palët, edhe nga femrat edhe nga meshkujt. Sa më shumë të njohësh, aq më mirë është. Duke krijuar më shumë se një marrëdhënie arrin të njohësh natyrën e femrave dhe të dish se çfarë ti kërkon. Një lidhje mund të zgjasë për aq kohë sa të dy partnerët ndjehen mirë me njëri-tjetrin. Në momentin që nuk ndjehen mirë bashkë, është koha që ta lënë tjetrin të lirë”.

Postime të ngjashme

Studimi: Konsumimi e çdo sasie alkooli rrit rrezikun e demencës
Zë dhe Impakt: Fuqizimi i Këshillave Rinorë për ndryshim në Komunitet
Dokument politik: Forcimi i Strukturave Rinore Lokale në Shqipëri
Treguesi delikat në syrin tuaj që mund të nënkuptojë se do të keni demencë në moshën 45-vjeçare
Shenjat paralajmëruese të kancerit kolorektal tek të rinjtë
Doktori ndan shenjat paralajmëruese të sëmundjes së mëlçisë, që shfaqen në lëkurën tuaj
Gjendja e këmbëve tregon për probleme shëndetësore, paralajmëron eksperti
"Ne fituam një fëmijë"