unfpa-tfl

Për gazetën  “Shëndet+, Arjana Rreli, psikiatre

Bukurisë femërore i janë thurur himne dhe lavde ndër shekuj, edhe kur nuk ekzistonte media, edhe kur nuk ekzistonte kirurgjia plastike, dhe kur nuk ekzistonte teknologjia (më e akuzuara tashmë).

Media, reklamat me ”agresivitetin” e tyre dhe sigurisht rrjetet sociale po e dëmtojnë vetëbesimin e njerëzve duke lëkundur të gjithë atë që natyra (për mirë apo keq) i ka falur. Kjo vihet re sidomos tek vajza/gruaja, e cila është një qenie shumë e brishtë dhe emotive.

Doktoreshë Arjana Rreli

Doktoreshë Arjana Rreli

Duke u përpjekur për një perfeksion i cili ndonjëherë të detyron të shkosh edhe jashtë disa ligjeve të natyrës. Sot njerëzit shohin një topmodele që është në kufijtë ekstrem të nënpeshës, shohin një vajzë që mund të ketë bërë shumë ndërhyrje kirurgjikale (pa marrë parasysh rreziqet që nga anastezia e deri në komplikacione posoperatore) , përfshihen në rrjetet sociale ku me një selfie njerëzit  ”përsosin” veten. Sigurisht që këto ndikojnë në vizionin që çdo njeri ka për skemën e trupit të vet, gjë e cila prir për çrregullime, që fillojnë që nga anoreksia mendore e deri në psikoza e bindje deluzionale që nuk kanë asnjë lloj lidhje me realitetin. Mjafton të vlerësosh ndikimin që ka ky ”sulm” ndaj trurit të qenies njerëzore dhe kupton çfarë po ndodh.

Si ndikon kjo në vetëbesimin e vajzave adoleshente? Këto vajza rriten me kompleksin e madh të inferioritetit. Në kërkim të përsosmërisë, sigurisht që njeriu mund të kërkojë shumë, por kapacitetet tona njerëzore, finaciare, por dhe intelektuale nuk e arrijnë asnjëherë maksimumin, dhe kjo bën që brenda personit të mbetet një kompleks, i cili në një kohë të dytë mund të bëhet terren për të shpërthyer minimumi, një problematikë e ankthit, për të mos shkuar pastaj në sëmundje të mirëfillta mendore.

Një mesazh për vajzat? Perëndesha e Bukurisë e kishte emrin Afërdita. Ishte perëndeshë dhe simbol ishte gruaja. Brenda një gruaje ka shumë bukuri. E rëndësishme është që gruaja/vajza të dijë të vlerësojë bukurinë e saj, të mësojë të bashkëjetojë me të, dhe pse jo,  të përpiqet ta përsosë veten, por gjithmonë brenda disa kufijve, që nuk e dëmtojnë atë çka i ka falur natyra!