Denisa Canameti / Shendeti.com.al

Ekoja abdominale dhe laboratori i analizave te Poliklinika e Specialiteve Nr.1, ose siç njihet ndryshe Iraniani, janë të prishura prej disa ditësh.Iraniani (4)

Kjo ka bërë që pacientët të vërshojnë drejt Poliklinikës Qendrore. Kjo e fundit po përballon një fluks shumë të madh pacientësh, të cilët në shumë raste krijojnë edhe kaos për shkak të mosdakordësisë me ditët e planifikimit apo me radhën e pritjes.

Rreth 300 mijë banorë të Tiranës marrin shërbim mjekësor në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.1, e vendosur në një godinë të re trekatëshe, rrënjësisht të transformuar dhe të pajisur me aparatura të reja mjekësore. Këta banorë mendohet të ishin përfituesit e drejtpërdrejtë të investimit prej 76 milionë lekë të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin u zgjerua hapësira ekzistuese, u bë rikonstruksioni i mjediseve, si dhe vendosja e pajisjeve të reja mjekësore për të 18 shërbimet e specializuara që ofron.

Vetëm pak muaj pas prezantimit të këtij investimi nga vetë kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, në këtë Poliklinikë rezultojnë të prishura një pjesë e mirë e pajisjeve diagnostikuese. Kjo situatë vë në pikëpyetje cilësinë e investimeve të bëra, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimit që u ofrohet pacientëve. / http://shendeti.com.al/