Nga mjekja Albana Duni

Prezantimi më tipik i kësaj sëmundjeje është djegia e kraharorit dhe rikthimi acid në ezofag.

Por sëmundja e refluksit gastro-ezofageal mund të prezantohet dhe me simptoma atipike. Rreth 20-60 % e pacientëve me refluks kanë ankesa në grykë pa pasur ndonjë ankesë si djegie gjoksi të dukshme. Simptoma atipike më e shpeshtë që jep refluksi gastro-ezofageal, është ngecja e një diçkaje në fyt që ne e quajmë “globus faringeal”, shenjë kjo që mund të ngatërrojë refluks stomakumjekun dhe mund të ndryshojë drejtimin e ndjekjes së problemit duke harruar kështu shkaktarin: stomakun. Prandaj është i nevojshëm një indeks i lartë dyshimi.

Laringoskopia mund të konfirmojë diagnozën e refluksit laringofaringeal dhe gastroskopia mund të konfirmojë refluksin gastro-ezofageal dhe për më tepër vlerëson mukozën e ezofagut nëse ka dëmtime apo jo. Gjatë këtij ekzaminimi kemi parë skuqje të laringsit posterior dhe trashje të kordave vokale. Trajtimi duhet filluar me frenues të acidit gastrik, si dhe me ndryshimin e stilit të jetesës. Nëse refluksi gastro-ezofageal ngelet i patrajtuar, përveç dëmtimit të mukozës së ezofagut, mund të çojë dhe në laringit kronik, ndryshime të zërit, kollë kronike, kruajtje e zërit, granulomë e kordave të zërit dhe probleme të tjera.

Simptomat

– Djegie goje
– Dhimbje cervikale
– Ndjesi e mbytjes
– Kollë kronike
– Pastrimin e vazhdueshëm të fytit (kruajtje e zërit)
– Disfagi
– Fërkim i ushqimit në fyt
– Ndjenja e ngecjes së një diçkaje në fyt (shpeshherë)
– Erë e keqe nga goja
– Ngjirje zëri (disfonia)
– Dhimbje veshi
– Ngushtësi e faringut
– Dhimbje fyti
– Ujë në gojë

Diagnoza

Albana Duni

Mjekja Albana Duni

Puna diagnostikuese e pacientëve që prezantohen me simptoma të refluksit laringo-ezofageal, fillon me historikun e sëmundjes dhe ekzaminimin fizik të përpiktë. Pacientët me refluks laringo-faringeal prezantohen me simptoma të lidhura me traktin e sipërm aero-digjestiv.

Simptoma më e shpeshtë e raportuar nga pacientët është globusi faringeal ose ndjenja e “ngecjes së diçkaje në fyt”. Studimet kanë treguar se në 23 – 60 % të pacientëve që prezantohen me globus faringeal, refluksi gastro-ezofageal është shkaktari etiologjik.

Simptoma të tjera përfshijnë kruarjen konstante të zërit (shkaktuar nga rritja e sekrecioneve dhe ngacmimi i mukosës laringeale); ngjirja e zërit (shkaktuar nga edema ose inflamacioni i kordave të zërit); dhimbje kronike gryke (shpesh e ngatërruar me tonsilitin kronik); kollë; vështirësi në gëlltitje (shkaktuar nga disfunksioni i sfinkterit të sipërm ezofageal); erë e keqe nga goja; djegie goje; dhimbje veshi; (shpjeguar nga inervimi sensor i përbashkët i ezofagut dhe i kanalit të jashtëm të dëgjimit nga nervi i 10 kranial); fërkim i ushqimit në fyt; ngushtim i fytit; ndjesi mbytje; gëlltije ajri; dhe ujë në gojë .

Refluksi laringo-faringeal duhet dyshuar në pacientë që prezantohen me ndonjë nga këto simptoma.

Megjithëse vështirësia në gëlltitje mund të rezultojë nga refluksi, duhen marrë në konsideratë edhe shkaqe të tjera, sidomos kur simptomat persistojnë megjithatë trajtimin adekuat të refluksit.